Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Fatlum Berisha, reagon ndaj kandidatit të VV-së: Etje patologjike për vëmendje

Drejtori i Arsimit në Fushë Kosovë, Fatlum Berisha, ka reaguar pas inaugurimit të një kopshti dhe vënies së gurthemelit të një shkolle të re në këtë komunë, ku të pranishëm ishin Kryeministri dhe Ministrja në detyrë e Arsimit.

Berisha tha se gjithçka u zhvillua sipas protokollit zyrtar, përveç një momenti që e cilësoi si të pakëndshëm, kur kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Fushë Kosovës, sipas tij, me sjellje të papranueshme, tentoi të marrë vëmendjen.

“Pavarësisht vërejtjeve të përsëritura të Ministres në detyrë, ai këmbënguli të qëndronte pranë Kryeministrit dhe madje, me arrogancë të pashoqe, u përpoq të kryente prerjen e shiritit, sikur të ishte pjesë e protokollit zyrtar,” ka deklaruar Berisha.

Ai e ka cilësuar këtë gjest si “të ulët dhe jashtë çdo norme të etikës publike” duke shtuar se veprimi i kandidatit të VV-së “tregon etje patologjike për vëmendje” dhe “mungesë kapacitetesh për të përfaqësuar qytetarët e Fushë Kosovës”.

“Si Drejtor i Arsimit, e gjykoj ashpër këtë sjellje të turpshme e të dëmshme për imazhin e institucioneve, dhe u bëj thirrje qytetarëve që të bëjnë dallimin mes punës së vërtetë për interesin e përgjithshëm dhe shfaqjeve të kota për pak duartrokitje,” përfundoi Berisha në reagimin e tij. /Kosova.info/


Go to TOP