Abdixhiku përkujton heroin Ismet Rrahmani: Kujtimi i tij udhërrëfyes për gjeneratat që vijnë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka përkujtuar me nderim dhe mirënjohje heroin Ismet Rrahmani, i cili 27 vite më parë ra në altarin e lirisë së Kosovës.
Në mesazhin e tij, Abdixhiku theksoi se sakrifica e Rrahmanit dhe e gjithë brezit të luftëtarëve të lirisë mbetet dëshmi e pathyeshme e dashurisë për atdheun dhe vendosmërisë për ta parë Kosovën të lirë, të pavarur dhe demokratike.
“Ismet Rrahmani është pjesë e lavdisë sonë kombëtare dhe kujtimi i tij do të mbetet përjetësisht udhërrëfyes për gjeneratat që vijnë. Përballë sakrificës së tij, ne marrim forcë dhe përgjegjësi që ta çojmë përpara idealin për të cilin ai dha jetën, një Kosovë të zhvilluar, të drejtë dhe me dinjitet,” ka deklaruar kryetari i LDK-së.
Në fund, Abdixhiku u shpreh: “Lavdi jetës dhe veprës së Heroit, Ismet Rrahmanit! Lavdi dëshmorëve të kombit!”. /Kosova.info/
