Marash Kumbulla i lumtur me debutimin tek Mallorca

Marash Kumbulla ka bërë dje debutimin e tij në La Liga me fanellën e Mallorcës, në barazimin 1-1 ndaj Celta Vigos.

Miqtë kaluan në avantazh në minutën e 38’ me Rueda-n, ndërsa vendasit barazuan dy minuta para fundit të kohës së rregullt.

Mbrojtësi shqiptar u aktivizua në pjesën e dytë, kur trajneri Jagoba Arrasate vendosi të ndryshonte skemën. Pas ndeshjes, tekniku spanjoll foli me fjalë shumë pozitive për Kumbullën.

“Kumbulla bën gjithçka. Ai fiton duele, mbron mirë në një kundër një sulmuesit rivalë dhe për më tepër na jep një dorë në sulm, pasi krijon shumë situata të rrezikshme në goditjet standarde”, tha Arrasate.

Nga ana tjetër, edhe vetë Kumbulla u shpreh i kënaqur për debutimin dhe pikën e marrë nga skuadra.

“Ishte një ndeshje e vështirë për ne, por mënyra si barazuam në fund na jep shumë besim për të ardhmen. Nuk duhet të harrojmë se përballë kishim një ekip të fortë”, tha ai.

25-vjeçari gjithashtu u ndal te kushtet e stadiumit “Son Moix”.

“Më duhet ta pranoj se edhe kushtet e fushës nuk ishin aspak të favorshme. Bari ishte shumë i thatë”, përfundoi mbrojtësi i Kombëtares shqiptare.

Një debutim i rëndësishëm për Kumbullën, që pritet të ketë rol kyç në mbrojtjen e Mallorcës gjatë këtij sezoni në La Liga.


Go to TOP