Artur Zheji, një mendje e mprehtë që do të mungojë

Gazetaria shqiptare ka humbur një nga personalitetet më të shquara të saj. Gazetari, analisti dhe ish-Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, Artur Zheji, është ndarë nga jeta ditën e sotme në moshën 63-vjeçare.

Humbja e tij e papritur ka ndodhur në Sarandë, teksa ai ishte duke drekuar me familjen. Rreth orës 16:10, ambulanca e Spitalit Rajonal të Sarandës është njoftuar nga familjarët për një problem shëndetësor që kishte shfaqur gazetari. Dyshohet se shkaku i vdekjes ka qenë një arrest kardiak. Ai ndërroi jetë gjatë transportit me ambulancë drejt spitalit.

Një karrierë e pasur në shërbim të medias

Artur Zheji njihej si një nga penat më të spikatura të gazetarisë shqiptare, i specializuar në analizë dhe opinion. Me një veprimtari të gjatë dhe të dendur, ai shërbeu në funksione drejtuese në disa media, duke kulmuar me postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Radio Televizionit Shqiptar.

Përmes shkrimeve të tij si editorialist, analizave politike dhe drejtimit të programeve televizive, ai la një gjurmë të pashlyeshme në fushën e medias, duke u bërë një zë i rëndësishëm për debatin publik në vend.

Artur Zheji ishte i njohur jo vetëm për kontributin në media, por edhe për trashëgiminë e pasur kulturore. Si biri i eruditit Petro Zheji dhe i aktores Besa Imami, ai vetë la gjurmë si dramaturg – një anë e talentit të tij të vlerësuar nga Teatri Kombëtar, i cili shprehu dhimbjen për humbjen e tij.

“Në krijimtarinë e tij, fjala u bë reflektim i kohës dhe i shoqërisë, duke pasuruar jo vetëm median dhe debatin publik, por edhe skenën tonë kombëtare,” thuhet në reagimin e Teatrit Kombëtar.

Zheji la pas dy vajza dhe një djalë, së bashku me bashkëshorten e tij. Humbja e tij e papritur ka tronditur jo vetëm familjen, por edhe kolegët dhe opinionin publik, të cilët e shihnin si një figurë me integritet dhe profesionalizëm të lartë. Vdekja e tij është një humbje e madhe për gazetarinë, analizën politike dhe median shqiptare në tërësi.

Reagimi i komunitetit të gazetarëve

Lajmi i ndarjes nga jeta të Zhejit u prit me dhimbje nga i gjithë komuniteti i gazetarëve. Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë e përshkroi atë si një personalitet të respektuar, që la “gjurmë të pashlyeshme me analizat, shkrimet dhe kontributin e tij në zhvillimin e mendimit kritik”.

Ndërkohë, Unioni i Gazetarëve Shqiptarë theksoi se Zheji do të mbahet mend për “stilin e tij oratorik, pasurinë shprehëse, forcën verbale të polemikës, dhe sidomos për integritetin dhe ndjeshmërinë e lartë në mbrojtjen dhe shprehjen krenare të identitetit kombëtar.”

Sipas tyre, gjuha dhe aftësia e tij shkrimore përbëjnë një standard cilësie dhe intelektualizmi në mediat shqiptare.

Reagime nga politika

Njoftimi për vdekjen e tij u prit me dhimbje edhe nga e gjithë skena politike, mediatike dhe kulturore në vend.

Presidenti Bajram Begaj ka shprehur ngushëllime për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit dhe publicistit, Artur Zheji.

“Ngushëllimet më të ndjera familjes dhe komunitetit të medias për ndarjen e papritur nga jeta të Artur Zhejit, një prej zërave më aktiv, më të angazhuar dhe më moderatorë e kontribues në debatin publik në Shqipëri”, shprehet Kreu i Shtetit në rrjetet sociale.

Kryeministri Edi Rama i shprehu lamtumirën përmes një postimi në rrjetet sociale, duke e quajtur Zhejin “mik kohësh të tjera” dhe duke i uruar që të gjejë “paqen për shpirtin”.

“Lamtumirë mik kohësh të tjera dhe e gjetsh matanë paqen për shpirtin”, shkruan Rama.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, shprehur ngushëllimet në lidhje me ndarjen nga jeta para kohe të gazetarit, Artur Zheji.

Me një postim në rrjetet sociale, kryedemokrati Sali Berisha shkruan se gazetari, analisti, botuesi, publicisti i mirënjohur Artur Zheji mbylli sot, papritmas dhe parakohe, sytë përgjithmonë.

“Duke shprehur ngushëllimet e mia më të ndjera familjes, miqve të afërmve, unë lutem së bashku me ta që shpirti i Arturit të tyre të dashur të gjejë paqen e merituar”, shkruan lideri i opozitës, Sali Berisha.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit theksoi se Zheji la gjurmë të pashlyeshme jo vetëm si gazetar, por edhe si regjisor dhe autor veprash artistike. Në një mesazh ngushëllimi, ministria theksoi:

“Trashëgimia e tij mbetet pjesë e historisë së gazetarisë dhe kulturës shqiptare.”

Ministri i Shtetit për Diasporën, Taulant Balla, shprehu trishtimin për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit:

“Shumë, shumë i trishtë lajmi për ndarjen e parakohshme të gazetarit Artur Zheji. U prehsh në paqe, mik!”

Edhe deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, e cilësoi Zhejin si një “gazetar korrekt, qytetar njerëzor, miqësor dhe tolerant”, që do të kujtohet si një model.

Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, e konsideroi vdekjen e Zhejit si një humbje të rëndë për mendimin kritik dhe shoqërinë shqiptare. Në mesazhin e tij, ai vlerësoi kontributin e Zhejit si:

“Një intelektual i spikatur dhe një zë i guximshëm që mbajti gjallë debatin publik me stil unik, qartësi, mendim të lirë dhe reflektim të thellë.”

Në këtë moment zie, kujtojmë me nderim Artur Zhejin – një figurë që la gjurmë të thella në fjalën e lirë dhe mendimin kritik shqiptar. U prehtë në paqe!


Go to TOP