Osmani falënderon ambasadorin Rohde: Gjermania ka investuar mbi 60 milionë euro në Termokos
Kryeshefi i Termokos-it, Fisnik Osmani, ka shprehur mirënjohje të veçantë për ambasadorin gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, në prag të përfundimit të mandatit të tij diplomatik.
Osmani u takua me ambasadorin për t’i përcjellë falënderimet e ndërmarrjes dhe të qytetarëve të kryeqytetit për mbështetjen e pakursyer që Republika Federale e Gjermanisë i ka dhënë Termokos-it gjatë më shumë se një dekade.
Me një fond total prej 60 milionë euro, Gjermania ka financuar projektin e kogjenerimit, zgjerimin dhe modernizimin e rrjetit të ngrohjes, si dhe projektin inovativ “Solar 4Kosovo”. Këto investime kanë qenë vendimtare për përmirësimin e shërbimeve, zhvillimin e projekteve kapitale dhe fuqizimin e ndërmarrjes.
“Ambasadori Rohde lë pas një bashkëpunim të shkëlqyer me institucionet dhe ndërmarrjet vendore duke dhënë një kontribut të pamohueshëm për zhvillimin dhe fuqizimin e tyre”, tha Osmani.
Në përmbyllje, ai theksoi se Termokos po i jep kuptim vizionit të ‘Prishtinës së Gjelbër’ duke u bërë një shembull i partneritetit të suksesshëm mes institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare. /Kosova.info/
