“Hem anej hem knej” – partitë vazhdojnë t’i rrejnë votuesit

Shkruan: Enis REÇICA

Edhe në këto zgjedhje, po shohim që po gënjehemi si votues.

Pse?

Qe të tregoj…

Në listat e zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, i kemi disa kandidatë për Kryetar Komunash, që janë edhe deputetë të betuar të Kuvendit të Kosovës, legjislaturës së re, ende të pakonstituuar.

Veç kandidatëve për Kryetar, nëpër listat e partive, kemi deputetë që janë kandidat për asambletë komunale, nëpër komuna të caktuara.

Në rregull me kandidatët për Kryetar, sepse zakonisht, fituesit e lënë Kuvendin, dhe vijojnë punën e Kryetarit komunal. Por, fituesi i asamblesë, nuk ta liron ulësen e Kuvendit të Republikës, kurrë!

S’ka kosovar që t’i le mbi 3.000 euro, për rreth 700 euro, e lëre më tjetër…

Situatë të ngjashme, në përpjekje të grumbullimit sa më të madh të votave, kemi pasur edhe në zgjedhjet e 9 shkurtit, kur shumë Kryetarë komunash, u futën në garë të deputetëve. Disa fituan ulësen e deputetit, por nuk e pranuan atë. Ata vazhduan të qëndrojnë Kryetar komunash. Madje, kemi pasur rastin kur një Ministër kishte kandiduar për Kryetar Komune. E ngriu postin në Qeveri. Aty u kthye prapë, kur humbi zgjedhjet.

Prandaj, votuesi nuk duhet me hangër këtë karrem të politikës, dhe duhet të votoj sinqerisht për kandidatë të sinqertë.

Kështu që, nuk ka: hem Kuvend, e hem Komunë, ndonëse ligji ua lejon garën, por jo edhe mbajtjen e pozitave në dy karrige.


Go to TOP