Ish-kandidati për kryetar të Klinës, Lulzim Dragidella largohet nga LVV: Demokracia e brendshme është zhdukur
Prof. Dr. Dr. Dr. Lulzim Dragidella nga Klina ka njoftuar sot dorëheqjen e tij nga Lëvizja Vetëvendosje duke e quajtur këtë vendim “më të vështirin” në jetën e tij politike. Në një deklaratë publike, ai tha se ky hap nuk është marrë për arsye emocionale, por pas një reflektimi të gjatë mbi rrugëtimin e tij politik dhe gjendjen aktuale të partisë.
Dragidella theksoi se demokracia e brendshme, dikur shtylla kryesore e VV-së, “është zbehur deri në zhdukje”, ndërsa vendimmarrja tash bëhet “në rrethe të ngushta, pa konsultim me bazën”. Ai përmendi mungesën e angazhimit real me qytetarët në Klinë, injorimin e propozimeve për takime të rregullta me anëtarët, mungesën e transparencës financiare dhe përjashtimin e anëtarëve të devotshëm nga proceset vendimmarrëse për shkak të mendimeve të ndryshme.
“Po largohem sepse nuk dua të bëj kompromis me bindjet e mia për hir të pushtetit partiak. Dua të jem i ndershëm me veten dhe me qytetarët që më kanë dhënë besimin e tyre”, deklaroi ai. Dragidella theksoi se nuk tërhiqet nga politika, por nga një strukturë që, sipas tij, nuk i ofron më hapësirë për të vepruar me ndershmëri dhe transparencë.
Ai përfundoi duke falënderuar kolegët dhe qytetarët për mbështetjen dhe duke theksuar se do të vazhdojë të punojë për interesin publik jashtë kornizës së Vetëvendosjes. /Kosova.info/
