​Nisin konsultimet për Strategjinë e Sportit, shpalosen detaje çfarë përmban ajo

Ministria e Sportit ka nisur konsultimet me federatat sportive për Strategjinë e Sportit të Kosovës për periudhën 2025-2030, e miratuar vitin e kaluar nga Qeveria e Kosovës.

Dokumenti përcakton katër objektiva strategjike dhe 13 objektiva specifike, duke synuar qeverisje të mirë, avancim të performancës sportive, krijimin e një shoqërie aktive e të shëndetshme dhe përdorimin e sportit si mjet diplomacie publike.

Zyrtari për komunikim me federata në MKRS, Fidan Shatri në një intervistë për KosovaPress ka zbuluar qëllimet kryesore të kësaj strategjie.

Shatri: Strategjia e sportit ka katër objektiva strategjike dhe 13 të tjera specifike

“Strategjia e Sportit vitin e kaluar është miratuar nga Qeveria e Kosovës për periudhën 2025/30 e cila shtjellon fillimisht gjendjen e cila ka qenë deri në vitin e kaluar si dhe hapat kyç dhe objektivat të cilat të cilat do të jenë në këtë kohën afatmesme 2025/30. Strategjia e sportit i ka katër objektiva strategjike si dhe 13 objektiva specifike ku gjithsecila prej tyre e shtjellon problematikën se ku duhet të shkohet para”, tha Shatri.

Shatri ka shtuar se kjo strategji e sheh sportin si rrugë për shëndet fizik, por edhe si mundësia më e mirë për fuqizimin e imazhit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.

Shatri: Strategjia e sheh sportit si rrugë për shëndet fizik, por edhe imazh ndërkombëtar

“E para është qeverisja e mirë në sport dhe integriteti në sport, e cila shtjellon krijimin e një sistemi të qëndrueshëm financiar, transparencën demokratike përmes rritjes së kapaciteteve në institucionet sportive, në këtë rast federatat, klubet dhe të gjitha organizatat sportive. E dyta është avancimi i performancës së lartë në sport…E treta është shoqëria aktive dhe e shëndetshme përmes edukimit fizik, zhvillimi i një kulture dhe aktiviteti fizik nga fëmijët deri te të moshuarit…Dhe e katërta është sporti në shërbim të diplomacisë publike, pra me rregulloren dhe Ligjin e ri të Sportit parashihet mbështetje e veçantë për organizatat sportive, të cilat zhvillojnë aktivitete ndërkombëtare brenda vendit”, thekson Shatri

Strategjia përfshin edhe përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030, investimet në infrastrukturën sportive dhe planin pesëvjeçar për stadiumet kryesore të vendit.

Shatri: Strategjia ka në fokus edhe Lojërat Mesdhetare

“I gjithë sistemi sportiv është i paraqitur në strategji. Nëse nuk kemi një strategji atëherë është problem edhe puna ad hoc të punohet. Janë të paraqitura të gjitha, unë mendoj që përdorimi i sportit për ta promovuar Kosovën me aktivitete ndërkombëtare, i kemi në fokus edhe Lojërat Mesdhetare 2030 dhe unë shpresoj shumë që përtej Lojërave Mesdhetare, infrastruktura sportive do të shërbejë për komunitetin e sportit në vendin tonë. Kështu që Lojërat Mesdhetare do të shërbejnë për një investim dhe mobilizim të të gjithë shtetit që për Lojërat Mesdhetare të jetë infrastruktura, por të jetë një infrastrukturë e qëndrueshme edhe pas Lojërave Mesdhetare”, tha Shatri.

Derisa flet për stadiumet, Shatri thotë se nuk ka lajme të reja sa i përket ndërtimit të stadiumit kombëtar.

Shatri: Pas 5 vjetësh nuk do të flitet më për problemin e stadiumeve

“Është plan pesëvjeçar i Ministrisë së Kulturës, të cilës ministri Çeku bashkë me Federatën e Futbollit të Kosovës, UEFA-n dhe FIFA-n dhe unë besoj që në këtë periudhë, pra pas pesë viteve nuk do të flasim më për stadiumet e futbollit. Kështu që stadiumi “Adem Jashari”, stadiumi në Gjilan janë në bazë të planit dinamik dhe po shpresoj që shumë shpejt edhe do të përfundojnë. Normalisht që është investim shumë i madh dhe periudhë më e gjatë nga përfituesit që e kanë marrë përsipër ta zhvillojnë projektin. Te stadiumi kombëtar nuk kemi ndonjë lajm të ri pasi që do të shihet a është e nevojshme apo jo…Komuniteti i sportiv apo i futbollit në këtë rast dhe komunitetet tjera që lidhen me infrastrukturën e stadiumit kombëtar do ta vlerësojnë a është e nevojshme që ne ta kemi një stadium”, tha Shatri.

Ai theksoi në fund se për çdo investim infrastrukturor, po mendohet në detaje edhe mënyra e mirëmbajtjes së tyre pasi edhe kjo çështje është një problematikë në vete.


Go to TOP