Nga bunker në art: Ulpiana merr frymë me qendrën e re kulturore

Bunkeri i dikurshëm në lagjen Ulpiana, që shërbente si vend strehimi në kohë rreziku, tashmë është shndërruar në një hapësirë moderne dhe të ndritshme për art dhe kulturë. Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur se kjo hapësirë do të jetë e hapur për të gjithë banorët e lagjes, veçanërisht për fëmijët që dikur i shmangeshin këtij ambienti, ndërsa sot pritet të hyjnë aty me ide dhe ëndrra.

Ky transformim është bërë i mundur falë financimit nga Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut, në partneritet me UNDP Kosovë, dhe do të menaxhohet nga Komuna e Prishtinës. Qendra e re për Art dhe Kulturë është dëshmi e vizionit për të kthyer edhe hapësirat më të errëta në burim frymëzimi e bashkimi për komunitetin.

“Prej izolimit në bashkim. Prej frikës në krijimtari. Ky është vizioni ynë”, theksoi Rama.

Projekti u mbështet gjithashtu nga LuxDev, Ambasada e Luksemburgut në Kosovë dhe Drejtoria e Kulturës në Komunën e Prishtinës. /Kosova.info/

Go to TOP