Durmishi: Njëra urë mbi lumin Ibër gati, mbetet vetëm asfaltimi
Njëra nga urat që po ndërtohen mbi lumin Ibër është drejt përfundimit. Gjatë fundjavës janë vendosur pllakat mbi të, ndërsa pritet që shumë shpejt të jetë funksionale për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.
Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili ka publikuar pamje nga punimet në terren.
“Janë vendosur trarët kryesorë në urën mbi lumin Ibër. Vetëm një muaj e dy ditë kanë kaluar prej nisjes së punimeve. Janë betonuar pilotat, janë përgatitur, armuar dhe betonuar themelet dhe shtyllat e urës. Dje dhe sot janë vendosur 18 trarë të përgatitur më parë në një punishte në Bair të Mitrovicës”, ka deklaruar Durmishi.
Ai ka shtuar se tashmë ka mbetur vetëm betonimi i pllakës dhe shtrimi i shtresës së asfaltit.
“Në shtator, ura do të jetë e gatshme për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve”, ka theksuar ai. /Kosova.info/
