Arrestohet zyrtari policor, dyshohet për sulm ndaj kolegut

Inspektorati Policor i Kosovës ka bërë të ditur se sot ka arrestuar një zyrtar policor në Stacionin Policor “Jugu” në Prishtinë, i cili dyshohet se ka sulmuar fizikisht kolegun e tij gjatë orarit të punës.

Sipas njoftimit, hetuesit e IPK-së janë njoftuar pasditen e sotme për incidentin dhe menjëherë kanë nisur veprimet hetimore. Pas hetimeve fillestare, zyrtari policor u arrestua nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Sulm”.

Me vendim të prokurorit, ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa IPK ka rekomanduar edhe suspendimin e tij nga detyra, në interes të hetimeve.

Hetuesit janë në koordinim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës dhe paralajmërohet se do të ndërmerren edhe veprime të tjera për të sqaruar rrethanat e plota të incidentit.

IPK thekson se mbetet e përkushtuar për të adresuar çdo veprim të jashtëligjshëm të zyrtarëve policorë, me qëllim të ruajtjes dhe forcimit të integritetit të Policisë së Kosovës. /Kosova.info/


Go to TOP