​Gjendet 7-vjeçari i humbur nga Kosova në Shëngjin

Reagimi i menjëhershëm i policisë dhe vrojtuesve bregdetarë bëri të mundur gjetjen e një fëmije që ishte larguar nga prindërit, në plazhin e Shëngjinit.

Punonjësit e Policisë në Shëngjin i dorëzuan familjes në gjendje të mirë shëndetësore fëmijën 7-vjeçar nga Kosova.

Policia Lezhë u njoftua nga një pushuese nga Kosova, se djali i saj ishte larguar dhe nuk po e gjente dot.

Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Rendit të planifikuara me shërbim në zonën e plazhit në Shëngjin, së bashku me patrullat me biçikleta dhe vrojtuesit bregdetarë, u angazhuan dhe koordinuan veprimet për gjetjen e fëmijës.

Pas rreth një ore kërkimesh intensive në terren, punonjësit e policisë e lokalizuan të miturin. Fëmija ndodhej në gjendje të mirë shëndetësore dhe iu rikthye menjëherë nënës së tij.

Nëna e fëmijës ka falënderuar shërbimet e policisë dhe vrojtuesit bregdetarë për reagimin e shpejtë dhe profesional që kontribuoi në gjetjen e të miturit.

Go to TOP