Cakolli: Komuna e Prishtinës po shkel të drejtën kushtetuese për t’u zgjedhur

Vendimi që kërkon dorëheqjen e kryetarëve të këshillave lokal për të kandiduar në zgjedhje komunale po cilësohet si i paligjshëm dhe pa bazë kushtetuese

Cakolli: Po vendoset ndalesë arbitrare për kandidim

Zyrtari i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka reaguar ndaj një njoftimi të publikuar nga Komuna e Prishtinës, i cili u kërkon kryetarëve të këshillave lokal të japin dorëheqje nëse synojnë të kandidojnë për Kuvendin Komunal në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

Sipas Cakollit, kjo kërkesë përbën një shkelje të drejtpërdrejtë të së drejtës kushtetuese për t’u zgjedhur, e garantuar me nenin 45 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe nuk mbështetet në asnjë bazë ligjore.

“Ky veprim jo vetëm që tejkalon kompetencat e Komunës, por shtrembëron edhe qëllimin e vetë rregullores, duke krijuar një precedent të rrezikshëm për ndërhyrje politike në procesin zgjedhor,” tha Cakolli.

Ai sqaroi se neni 5.7 i Rregullores për Zgjedhjen e Këshillave Lokal ndalon kandidimin për këshill lokal nga persona që mbajnë poste politike, por jo anasjelltas – pra nuk ndalon që një kryetar i këshillit lokal të kandidojë për Kuvendin Komunal.

Për këtë arsye, Cakolli kërkoi tërheqjen e menjëhershme të vendimit, ose ndërhyrjen e institucioneve të drejtësisë për anulimin e tij.

Komisioni Komunal: Vendimi bazohet në rregulloren për funksionimin e këshillave lokal

Ndërkohë, Komisioni Komunal për Monitorimin dhe Zgjedhjen e Këshillave Lokal e ka arsyetuar vendimin duke u thirrur në nenin 5, pika 5.7 të rregullores komunale dhe në nevojën për të ruajtur pavarësinë dhe funksionimin apolitik të këshillave lokal.

Në njoftimin e tyre zyrtar thuhet se: “Kjo kërkesë bazohet në interpretimin e qartë të rregullores, e cila ndalon kandidimin për kryetar të këshillave lokal nga persona me funksione politike, përfshirë anëtarët e Kuvendit Komunal.” /Kosova.info/

Go to TOP