Kamion i rëndë dëmton tunelin te Kurrizi – Kryeqyteti dënon shkeljen dhe paralajmëron masa ligjore
Kryeqyteti ka njoftuar opinionin publik se sot, më 29 korrik 2025, rreth orës 18:30, një kamion i peshave të rënda dhe me lartësi mbi kufirin e lejuar ka hyrë në mënyrë të paligjshme në tunelin te Kurrizi, i cili është i dedikuar për biçikleta dhe automjete me lartësi deri në 3.2 metra.
Sipas njoftimit zyrtar, ky veprim ka shkaktuar disa pasoja të rënda: shkelje flagrante të rregullave të trafikut rrugor; rrezikim të sigurisë publike, veçanërisht për këmbësorët dhe çiklistët që lëvizin në këtë zonë dhe dëmtim të infrastrukturës komunale, përfshirë pajisjet e ventilimit dhe ato përcjellëse që ishin instaluar rishtazi gjatë këtij viti.
Kryeqyteti e ka dënuar ashpër këtë veprim të papërgjegjshëm dhe ka konfirmuar se rasti është adresuar menjëherë tek autoritetet përkatëse për hetim dhe trajtim të mëtejmë ligjor.
Zyrtarët lokalë rikujtojnë se ky tunel është i destinuar vetëm për automjete që nuk tejkalojnë lartësinë prej 3.2 metrash dhe se çdo tejkalim përbën shkelje të ligjit dhe kërcënim për sigurinë dhe infrastrukturën publike.
Kryeqyteti bën thirrje për respektim të rregullave të qarkullimit dhe thekson se do të ndërmerren masa për të parandaluar raste të tilla në të ardhmen. /Kosova.info/
