Kelmendi reagon ndaj linçimit të Fitore Pacollit: Shëmti publike, por Vetëvendosje e ka nisur vetë
Gazetari dhe analisti i njohur, Adriatik Kelmendi, ka reaguar me tone të ashpra ndaj ngjarjeve të fundit që lidhen me deputeten Fitore Pacolli. Përmes një postimi, Kelmendi dënoi ashpër ballafaqimet fizike ndaj saj duke i cilësuar si akte të shëmtuara dhe të papranueshme për një shoqëri demokratike.
“S’po mundem pa e thënë: Nuk ka gjë më të shëmtuar se linçimet fizike publike nga 2-3 persona që ia kanë bërë deputetes Fitore Pacolli këto ditë. Thjesht, e gërditshme,” shkroi Kelmendi. Ai theksoi se të gjithë kanë të drejtë të protestojnë për veprimet apo mosveprimet e përfaqësuesve politikë, por ballafaqimi fizik në kafiteri apo ambiente publike është formë banale dhe e dënueshme.
Megjithatë, Kelmendi i rikujtoi opinionit publik se Vetëvendosje, sipas tij, e ka kultivuar këtë stil politik të përballjes agresive, që nga sulmet ndaj qytetarëve e deri te përplasjet me Policinë e Kosovës. “Vetëvendosje ka sulmuar njerëz rrugës! Albini dhe Vetëvendosje! kanë sulmuar edhe qytetarë, madje edhe policë të Kosovës!”, shtoi ai duke theksuar se një sjellje e tillë nuk mund të justifikohet as edhe kur e përsëritin të tjerët.
Kelmendi kritikoi edhe reagimet e vetë deputetes Pacolli duke e akuzuar se ka hyrë në një spirale të viktimizimit dhe përbaltjes kundrejt kujtdo që nuk pajtohet me të. “Këto ditë, sa herë që flet, linçon dhe përbalt këdo që i del në radar. Në një delir që mund të shihet edhe si skizofrenik,” shkroi ai duke shtuar se i duhet dikush që “t’ia do të mirën” për t’i ofruar një pasqyrë të qartë të realitetit.
Në përfundim, Kelmendi paralajmëroi për rrezikun e thellimit të polarizimit shoqëror që, sipas tij, është synim i qartë i kryeministrit Kurti dhe i strukturës rreth tij. “Kujt i konvenon në këtë moment? Natyrisht atij që dështoi plot 54 herë ta arrijë atë që deshi,” përfundoi ai. /Kosova.info/
