Debakli në Drenas: Nga “kampion” në letër, në vetëm 4 vota – mesazhi i fortë i votuesit për arrogancën në pushtet

Gazetari Besnik Krasniqi ka komentuar ashpër rezultatin e zgjedhjes së kandidatit të PDK-së për kryetar të Drenasit duke e cilësuar si një debakël të vërtetë për pushtetin lokal dhe arrogancën politike.

“Kështu e ka kur je ‘kampion’ në letër, e terreni të demanton. Pëson debakël 4 me 26. Jo 24 me 26, por 4 me 26!”, shkruan ai në një reagim të drejtpërdrejtë.

Sipas Krasniqit, ky rezultat është një sinjal i qartë se votuesi është duke u emancipuara dhe nuk toleron më sjellje arrogante, mashtruese dhe përçmuese nga përfaqësuesit lokalë. Ai thekson se edhe militantët nuk durojnë më shantazhin, abuzimin dhe kapjen e buxhetit dhe pronave publike për interesa të ngushta të individëve apo klaneve.

Krasniqi shton se vendimi i PDK-së për ta ndërruar kandidatin është një alarm për të gjithë kryetarët komunalë, jo vetëm në Drenas, por në tërë Kosovën.

“Sot rrenën e maskuar me letra s’ta beson as partia, e lëre më qytetari. Prandaj, vjen momenti që të braktisin. Të gjithë. Madje, nisin të ta kthejnë shpinën edhe oborrtarët edhe klientela”, shkruan ai.

Në përfundim, ai jep një paralajmërim të qartë: “Kushdo që sot nuk mëson, pëson nesër.” /Kosova.info/


Go to TOP