Dy shoferë ndëshkohen për shkelje të rënda të trafikut në Ferizaj

Policia Rajonale e Ferizajt ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj dy drejtuesve të automjeteve që shkelën rëndë rregullat e qarkullimit rrugor në orët e hershme të mëngjesit të sotëm.

Rasti i parë u regjistrua rreth orës 04:15 në rrugën magjistrale Ferizaj–Prishtinë, afër pikës së karburantit “Hib Petrol”. Njësia e Komunikacionit Rrugor ndaloi një veturë të tipit Volkswagen Passat me targa vendore.

Gjatë kontrollit, u konstatua se shoferi A.A., 28 vjeç, po drejtonte automjetin ndonëse ndaj tij ishte në fuqi një masë mbrojtëse që ia ndalon drejtimin e mjeteve motorike nga data 28 qershor deri më 27 shtator 2025.

Për këtë shkelje, ndaj shoferit u morën këto masa ndëshkuese: gjobë prej 500 euro, vendosje e 5 pikëve negative në patentë, zgjatje e masës mbrojtëse me ndalim të drejtimit të mjetit për 6 muaj si dhe konfiskim i automjetit.

Ndërkohë, një rast tjetër u shënua rreth orës 05:30 në fshatin Babush. Njësia policore ndaloi një veturë të tipit Audi me targa të huaja, e cila po lëvizte me 128 km/h në një zonë me kufizim shpejtësie prej 50 km/h. Shoferja, S.N., 33 vjeçe, shtetase e huaj, u kap nga mjeti inteligjent i policisë që mat automatikisht shpejtësinë e automjeteve.

Pas verifikimit dhe me pëlqimin e saj, asaj iu shqiptua një gjobë e dyfishuar në vlerë prej 600 euro.

Policia Rajonale e Ferizajt ka bërë të ditur se do të vazhdojë me kontrolle të rregullta dhe aksione të shtuara në terren, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore dhe respektimit të rregullave të trafikut.


Go to TOP