Yll Tunaj shpall kandidaturën për Asamblenë Komunale në Gjakovë: Premton përfaqësim me vlera rugoviste dhe demokratike

Aktivisti politik dhe përkrahësi i kahershëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Yll Tunaj, ka shpallur zyrtarisht kandidaturën e tij për Asamblenë Komunale të Gjakovës në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

Përmes një postimi drejtuar anëtarëve dhe simpatizantëve të LDK-së, Tunaj deklaroi se kandidimi i tij vjen si vazhdimësi e një angazhimi të gjatë dhe të palëkundur në mbrojtje të vlerave rugoviste dhe të djathta, të trashëguara nga Presidenti Historik Dr. Ibrahim Rugova.

“Gjatë gjithë jetës sime jam munduar që të shpërfaq para jush vlera të vërteta rugoviste dhe djathtiste. Aktiviteti im politik zë fill që në moshën e re dhe ka vazhduar me dinjitet edhe në kohët më të vështira për LDK-në,” u shpreh Tunaj.

Ai kujtoi se përmes platformave online ka kontribuar në informimin e mijëra qytetarëve për rolin shtetformues të LDK-së dhe për të vërtetën e saj politike. Tunaj shtoi se kandidimi i tij është një ofertë parimore dhe e sinqertë për qytetarët e Gjakovës.

“Do të jem zëri juaj për problemet me të cilat ballafaqohet qytetari ynë dhe shoqëria jonë. Duke besuar në vlerat rugoviste, zotohem për mbajtje fjale dhe bese, dhe për të kontribuar në ndërtimin e një qeverisjeje lokale më të drejtë dhe më pranë njerëzve,” përfundoi Tunaj. /Kosova.info/


Go to TOP