Zjarret në Shqipëri, evakuohen tri fshatra në Delvinë
Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë, nëpërmjet strukturave të Mbrojtjes Civile, ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçëz, në Bashkinë Delvinë. Ky vendim ekstrem është marrë për shkak të rrezikut të lartë që paraqesin zjarret e shumta në zonë.
Në postimin në Facebook, kjo ministri njofton se vijon ndërhyrja për shuarjen e flakëve në zonën e fshatit Vergo, një nga tre fshatrat e përfshirë nga zjarri në Bashkinë Delvinë.
“Në terren ndodhen 4 mjete zjarrfikëse, 60 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 helikopterë Cougar që po punojnë për izolimin e flakëve dhe mbrojtjen e banesave”, thuhet në njoftimin e MM-së.
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë banorëve të respektojnë udhëzimet e emergjencave civile dhe të bashkëpunojnë ngushtë me forcat e Policisë dhe autoritetet vendore, të cilat janë angazhuar plotësisht për mbrojtjen e jetës dhe pronës së tyre. /Kosova.info/
