Humbje për taekwondistët kosovarë në EYOF Shkupi 2025 – asnjë fitore në garat individuale
Taekwondistët kosovarë Ariant Selimi, Bled Tufa, Imarah Vizdiklar dhe Resa Gashi kanë përmbyllur pjesëmarrjen e tyre në Festivalin Evropian të të Rinjve – EYOF Shkupi 2025, pa arritur të regjistrojnë ndonjë fitore në garat individuale.
Përfaqësuesja Imarah Vizdiklar garoi të mërkurën, ku u mund 2:0 nga italiania Pezzolla që në përballjen e parë. Në garat e zhvilluara të enjten, edhe tre sportistët tjerë të Kosovës u ndalën menjëherë në luftën e parë.
Ariant Selimi u mund nga garuesi turk Cosgungonul, ndërsa Bled Tufa, ndonëse zhvilloi një përballje të fortë dhe relativisht të barabartë, nuk ia doli të kalojë kroatin Krnjaiq. Resa Gashi, që e kaloi raundin e parë pa luftë, u përball në raundin e dytë me të njëjtën italiane, Pezzolla, nga e cila gjithashtu pësoi humbje 2:0.
Pavarësisht mungesës së fitoreve, pjesëmarrja e tyre në një kompeticion të këtij niveli përbën një përvojë të çmuar për zhvillimin e mëtejshëm sportiv të tyre dhe të sportit të taekwondosë në Kosovë. /Kosova.info/
