Avokati i Popullit paralajmëron për krizë të të drejtave të njeriut në RTK: Qeveria të ndërhyjë urgjentisht për pagat e punëtorëve
Avokati i Popullit ka shprehur shqetësim të thellë lidhur me situatën alarmante në Radiotelevizionin e Kosovës (RTK), ku rreth 700 punëtorë të transmetuesit publik kanë mbetur pa paga mujore për shkak të bllokimit institucional pas zgjedhjeve të fundit.
Në njoftimin zyrtar, Avokati i Popullit bën thirrje të menjëhershme institucioneve shtetërore, e në veçanti Qeverisë së Republikës së Kosovës, për të ndërmarrë masa urgjente me qëllim të zgjidhjes së krizës financiare të RTK-së, e cila rrezikon funksionimin e institucionit publik.
Këto shqetësime janë ngritur pas takimit të mbajtur më 18 korrik me menaxhmentin e RTK-së, ku u theksua se, në mungesë të zgjidhjes nga ana e Qeverisë, RTK rrezikon të ndalojë së funksionuari si pasojë e mungesës buxhetore.
Avokati i Popullit vlerëson se kjo situatë përbën shkelje serioze të të drejtave themelore të njeriut dhe nuk duhet trajtuar si thjesht krizë politike apo teknike, por si çështje dinjiteti, sigurie jetike dhe e drejtësisë sociale. Ai thekson se pasojat prekën drejtpërdrejt të drejtat e garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut:
E drejta për pronë: Pagat e fituara përmes punës përbëjnë interes pasuror të mbrojtur me ligj. Mosshpërndarja e tyre për shkak të mosfunksionimit politik përbën ndërhyrje të paligjshme.
E drejta për qasje në drejtësi: Në mungesë të një autoriteti funksional, punëtorët nuk mund të kërkojnë mbrojtje ligjore në mënyrë efektive.
Liria e shprehjes: Nëse kjo situatë ndikon në funksionimin e mediumit publik, atëherë rrezikohen seriozisht të drejtat e publikut për informim të lirë dhe të pandikuar.
Avokati i Popullit i bën thirrje Qeverisë në detyrë që të shfrytëzojë instrumentet buxhetore të përkohshme për të siguruar ekzekutimin e pagave të punonjësve. Ai rikujton se shteti nuk mund të tërhiqet nga obligimet bazë ndaj qytetarëve, pavarësisht krizës institucionale, dhe thekson se kjo është një çështje që prek drejtpërdrejt jetesën, dinjitetin dhe të drejtat sociale të qindra punonjësve dhe familjeve të tyre. /Kosova.info/
