Sot Mundet me qenë Fundi i LVV-së që e Njohim
Shkruan: Shenoll MUHARrEMI
Nëse edhe sot dështon Lëvizja Vetëvendosje me kriju shumicën parlamentare, për të 52-tën herë, kjo mundet me qenë rasti i fundit për këtë parti si forcë e parë. Nga sot po futemi në një gjendje më të avancuar kushtetuese dhe politike, ku askush nuk e di epilogun.
Kjo mundet me qenë dita e fundit sa i përket të drejtës së partisë së parë me propozu pafundësisht kandidatin për Kryetar Kuvendi. Dita e fundit ku ti ke mundësi të pakufizuara për me propozu një kandidat që nuk i përkrahë shumicë. Po gjithashtu, sot, mundet me qenë edhe fundi i Legjislaturës së IX-të prej zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Nëse dështohet përsëri sot, kjo mund të jetë edhe fillimi i fundit për Vetëvendosjen në rolin e saj si partia e parë. LVV mundet me shku në opozitë dhe për 5-10 vitet e ardhshme me qenë forcë në opozitë apo e margjinalizuar.
Kjo për shkak se nëse LVV nuk ka arritur në 52 tentativa me kriju shumicën me 42.3% të votave dhe 48 deputetë, kjo nënkupton që nuk do të arrijë as pas zgjedhjeve të ardhshme të jashtëzakonshme, ku me shumë gjasë do të dalë ndjeshëm më e dobët.
E nëse nuk arrin as sot, e as nesër pas zgjedhjeve të ardhshme, LVV shkon në opozitë. Dhe kthimi si partia e parë është i pamundur pa reformë, pa ndryshim të thellë, pa riformatim të plotë. Po kjo nuk ndodh brenda natës, e as për një vit… duhet kohë.
Përate sot është ndoshta dita më kritike për LVV në dekadën e fundit. Dita kur konfirmohet se strategjia e tyre “O Krejt, O Asgjë” ka dështuar në mënyrë dramatike. Një taktikë lakmitare që në vend se ta materializonte fitoren e thellë, kërkoi pushtet absolut. Dhe në stilin e kazinos, i humbi të gjitha.
Sot për LVV nuk është në lojë vetëm rezultati i zgjedhjeve të 9 shkurtit. Sot është në lojë e tashmja dhe e ardhmja e partisë. Sepse nëse nuk krijon shumicën tani, dhe dështon edhe në zgjedhjet e ardhshme, atëherë me të vërtetë, literalisht, do ta humbasë “krejt”, ashtu siç e kishte strategjinë. Shkon në opozitë për mos me u kthy më për një kohë të gjatë.
