IKSHPK: Uji në pishinën e Gërmisë nuk i plotësoi standardet mikrobiologjike, priten analiza të reja më 25 korrik

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), në kuadër të mandatit të tij për mbrojtjen e shëndetit publik dhe në bazë të kontratës me ndërmarrjen publike “Sport Marketing” SH.A, që menaxhon pishinën e Gërmisë në Prishtinë, është duke kryer monitorim të rregullt të cilësisë së ujit në këtë pishinë publike.

Ekspertët e Ekologjisë Humane nga IKSHPK kanë marrë mostra për analizë laboratorike nga uji i pishinës më 19 korrik 2025. Sipas rezultateve të publikuara më 22 korrik, është konstatuar se parametrat mikrobiologjikë të ujit nuk kanë përmbushur standardet e kërkuara për ujin e pishinës.

Menjëherë pas kësaj, Inspektorati Sanitar i Ministrisë së Shëndetësisë ka realizuar një vizitë inspektuese në këtë objekt, po të njëjtën ditë.

Për të verifikuar gjendjen e saktë të ujit, më 23 korrik janë marrë mostra të përsëritura për analizë. Rezultatet përfundimtare pritet të dalin të premten, më 25 korrik 2025.

IKSHPK njofton se sapo rezultatet e reja të jenë të gatshme, qytetarët do të informohen në kohë reale përmes kanaleve zyrtare të komunikimit të institutit.

Instituti apelon për kujdes dhe mirëkuptim deri në përfundimin e analizave të përsëritura, në mënyrë që të garantohet siguria dhe shëndeti i qytetarëve që frekuentojnë këtë hapësirë rekreative. /Kosova.info/

Go to TOP