Anglia shkon për herë të dytë radhazi në finalen e Evropianit
Anglia ka siguruar një vend në finalen e dytë radhazi të Kampionatit Evropian për femra, pas një fitore dramatike 2-1 ndaj Italisë pas kohës shtesë.
Anglezet e kanë nisur ndeshjen duke ushtruar presion të vazhdueshëm dhe duke kontrolluar topin, çka ka bërë që Italia të gjendej në vështirësi në minutat e para.
Megjithatë, pavarësisht dominimit të Anglisë, Italia e ka gjetur golin e avantazhit në minutën e tridhjetë e dytë me Barbara Bonansea, që ka shënuar nga afërsia.
Pjesa e dytë nisi me të njëjtën dinamikë. Me kalimin e minutave, mbrojtja italiane është treguar më e fortë, ndërsa Anglia, pavarësisht dominimit në posedim, e ka pasur gjithnjë e më të vështirë të konkretiozojë.
Kur është dukur se gjithçka do të mbyllet me fitoren italiane, në minutat shtesë, Michelle Agyemang e ka shënuar golin e barazimit, duke e çuar ndeshjen në kohën shtesë.
Në vazhdime, Anglia ka dominuar me Agyemang që ka qenë rrezik i madh për mbrojtjen italiane. Në minutat e fundit, Emma Severini ka shkaktuar penallti ndaj Beth Mead. Chloe Kelly e ka marrë përgjegjësinë për ta goditur, dhe ndonëse goditja e parë është pritur nga Giuliani, ajo ka reaguar shpejt dhe e ka dërguar topin në rrjetë, duke i dhënë Anglisë fitoren dhe kualifikimin në finale.
