Rama: Prishtina për të gjithë nuk është aspiratë, por përgjegjësi
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka zhvilluar një takim të veçantë me përfaqësues të organizatave që mbrojnë të drejtat e personave me nevoja të veçanta, ku është diskutuar mbi të arriturat, sfidat dhe rrugën e përbashkët drejt një qyteti gjithëpërfshirës.
“Reflektuam mbi të arriturat me Drejtorinë për Mirëqenie Sociale, por më shumë u ndalëm te rruga që na pret përpara,” tha Rama duke theksuar se gjithëpërfshirja nuk matet me statistika, por me respektin dhe mënyrën se si ndërtojmë hapësira për të gjithë.
Ai nënvizoi se vizioni për një Prishtinë që i sheh dhe dëgjon të gjithë, është më shumë se një synim – është një detyrim moral dhe qytetar.
“Kjo nuk është vetëm aspiratë, është përgjegjësi që lind nga ndërgjegjja qytetare dhe etika e kujdesit ndaj njëri-tjetrit,” u shpreh ai, duke falënderuar pjesëmarrësit për kontributin e tyre.
Rama përfundoi duke theksuar se ndërtimi i një Prishtine për të gjithë kërkon durim, bashkëpunim dhe dashuri për njeriun – vlera të cilat do të udhëheqin institucionet komunale në punën e tyre të përditshme. /Kosova.info/
