Sunderland e do Xhakën për të mos u kthyer në Championship
Sunderland ka hyrë në garë për transferimin e mesfushorit të Zvicrës dhe Bayer Leverkusen, Granit Xhaka, në një përpjekje për ta rikthyer atë në Premier League.
Klubi anglez, që këtë sezon është rikthyer në elitën e futbollit anglez pas plot tetë vitesh mungesë, synon të forcojë repartin e mesfushës me një lojtar me përvojë dhe autoritet.
Tridhjetë e dy vjeçari ka 137 paraqitje me Kombëtaren e Zvicrës dhe një karrierë të gjatë në Angli me fanellën e Arsenal. Së fundmi, ai ka qenë pjesë e suksesit historik të Bayer Leverkusen në Bundesliga, ku ndihmoi klubin gjerman të fitojë titullin për herë të parë në histori në vitin 2023. Edhe pse ka ende tri vite kontratë me Leverkusen, mediat raportojnë se një ofertë e përshtatshme mund të hapë rrugën për largimin e tij.
Pronari i Sunderlandit, Kyril Louis-Dreyfus, është i vendosur të ndërtojë një ekip konkurrues, për të shmangur kthimin e shpejtë në Championship. Duke pasur një skuadër të re dhe energjike, drejtuesit e klubit besojnë se eksperienca dhe lidershipi i Granit Xhakës do të ishin thelbësore për të siguruar qëndrimin në elitë që në sezonin e parë.
Trajneri Regis Le Bris ka arritur tashmë të sjellë përforcime të rëndësishme si Habib Diarra nga Strasbourg, Simon Adingra nga Brighton, Enzo Le Fee nga Roma, Chesmine Talbi nga Club Brugge, Noah Sadiki nga Union Saint-Gilloise dhe Reinildo Mandava nga Atletico Madrid si lojtar i lirë.
Ndërkohë Xhaka është përfolur edhe për një kalim të mundshëm në Serie A te skuadra e Milanit, si dhe në kampionatin arab, ku klubi NEOM raportohet se i ka ofruar një ofertë të majme financiare.
