Prestreshi: Qeveria po e shkatërron ekonominë e tregut – Murati po grumbullon dështime dhe humbje ligjore

Njohësi i ekonomisë dhe ish kryeshefi i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi, ka reaguar ashpër ndaj qasjes së Ministrit të Financave, Hekuran Murati duke e cilësuar atë si një seri dështimesh të rënda që po i hyjnë në rezymenë politike dhe profesionale.

Në reagimin e tij, Prestreshi thotë se ndërhyrja e qeverisë në treg është jo vetëm e papërshtatshme, por edhe antikushtetuese, pasi Kushtetuta e Republikës së Kosovës garanton një ekonomi tregu me konkurrencë të lirë.

“Qeveria nuk ka as kompetencë as legjitimitet të ndërhyjë për të eliminuar monopole, sepse kjo është përgjegjësi ekskluzive e një organi të Kuvendit – Autoritetit të Konkurrencës. Veprimet e tilla janë tejkalim i mandatit dhe rrezik për rendin kushtetues,” deklaroi ai.

Ai shton se sjellja e qeverisë është thellësisht paradoksale: “Në një anë po fuqizon ndërmarrje publike dhe krijon monopole shtetërore, ndërsa në anën tjetër, thotë se po lufton monopolin privat. Kjo është një kontradiktë politike dhe një drejtim ekonomik i paqëndrueshëm.”

Duke kritikuar iniciativat si ai për krijimin e Fondit Sovran, Prestreshi thekson se këto ide burojnë nga një mentalitet etatist dhe bartin elemente të politikave komuniste, të cilat nuk i përshtaten realitetit të Kosovës dhe synimeve të saj euroatlantike.

“Si rezultat, këto ndërhyrje bien ndesh me rendin kushtetues dhe përfundojnë të rrëzohen nga vetë gjykatat e vendit. E gjithë kjo vetëm sa e thellon bilancin negativ të ministrit Murati në sferën ligjore dhe ekonomike,” përmbyll ai. /Kosova.info/


Go to TOP