Zjarr përgjatë autostradës Prizren-Kukës, rrezikohen vilat e një moteli

Një zjarr i madh ka përfshirë fushat përreth autostradës Prizren-Kukës duke shkaktuar shqetësim te qytetarët dhe rrezik potencial për objektet pranë rrugës.

Pamjet e siguruara nga një lexues i Kosova.info tregojnë për përhapjen e flakëve pranë vilave të një moteli të ndërtuar prej druri, që ndodhet afër rrugës nacionale. Era dhe temperaturat e larta po kontribuojnë në përhapjen e shpejtë të zjarrit duke e bërë të vështirë kontrollin e tij.

Deri tani nuk raportohet për dëme materiale të tjera apo për persona të lënduar. Autoritetet nuk kanë dhënë ende një njoftim zyrtar mbi shkaktarin e zjarrit, ndërkohë që ekipet e zjarrfikësve pritet të angazhohen për neutralizimin e flakëve.

Banorët e zonës dhe kalimtarët në autostradë janë të këshilluar të tregojnë kujdes për shkak të tymit të dendur dhe rrezikut nga përhapja e mëtejshme e zjarrit. /Kosova.info/


Go to TOP