Liverpool refuzon ofertën e Bayernit për Diaz, kërkon 100 milionë euro
Bayern Munich është në kërkim të një sulmuesi të majtë dhe objektivi i radhës është Luis Diaz i Lverpool-it.
Megjithatë, tentativa e parë e klubit gjerman është refuzuar nga klubi anglez, që nuk është gati të lëshojë kolumbianin për një shumë më pak se vlera e tij.
Sipas medieve britanike, “The Reds” kanë refuzuar një ofertë prej 67.5 milionë eurosh, të bërë nga Bayern Munich, duke e vlerësuar Luis Diaz mbi 100 milionë euro.
Kolumbiani, që ka qenë vendimtar për Liverpool në disa momente kyçe të sezonit të kaluar, shihet si një aset i rëndësishëm për klubin.
Pavarësisht refuzimit, situata mbetet e hapur, pasi vetë Diaz ka shprehur dëshirën për të ndryshuar ambient dhe është i tunduar nga mundësia për të luajtur jashtë Premier League.
Bayern Munich dhe Barcelona janë dy klubet që ai preferon si destinacione të mundshme.
Aktualisht, Bayerni ende nuk ka arritur marrëveshje personale me lojtarin, por burime të brendshme të klubit raportojnë se kjo nuk do të jetë një pengesë e madhe. Problemi kryesor mbetet negociata me Liverpoolin, që nuk ka ndërmend të ulë kërkesat financiare.
Pritet që në ditët në vijim Bayern të rikthehet me një ofertë të përmirësuar, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Barcelona do të përfshihet seriozisht në garë për 27-vjeçarin.
