Kurti: Pas 7 vitesh përjashtim, Kosova rikthehet me të drejta të plota në EQAR
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar sot se Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA) është rikthyer si anëtare me të drejta të plota në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR), pas një përjashtimi që kishte ndodhur në vitin 2018.
Sipas Kurtit, përjashtimi i atëhershëm ishte rezultat i qeverisjes së koalicionit PAN, ndërsa rikthimi aktual përfaqëson një arritje të rëndësishme të qeverisë së tij.
“Në vitin 2018, nën qeverinë e PAN-it, EQAR vendosi ta përjashtojë nga anëtarësia Agjencinë e Kosovës për Akreditim. Shtatë vite më vonë, me qeverisjen tonë, kjo agjenci rikthehet si anëtare me të drejta të plota në këtë organizëm evropian”, deklaroi Kurti.
Kryeministri e cilësoi këtë zhvillim si dëshmi të përkushtimit të qeverisë ndaj standardeve të larta evropiane në arsim dhe krijimit të kushteve të favorshme për suksesin akademik të studentëve kosovarë.
“Jemi të përkushtuar dhe angazhuar plotësisht për t’u përafruar me standardet më të larta evropiane në arsim,” përfundoi Kurti. /Kosova.info/
