​Arrestohet 41-vjeçari i kërkuar ndërkombëtarisht nga Austria

Policia në Shqipëri ka finalizuar me sukses një tjetër operacion për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Strukturat e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në kuadër të operacionit të koduar “Operacionalja 54”, bënë të mundur lokalizimin dhe arrestimin në Tiranë të shtetasit M. A., 41 vjeç, lindur dhe banues në Shkup, Maqedonia e Veriut.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, 41-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet austriake, pasi ndaj tij është lëshuar urdhër arresti nga Zyra e Prokurorit Publik Innsbruck, Vjenë, për kryerjen e disa veprave të rënda penale, përkatësisht “Trafikim droge”, “Kërcënim i rrezikshëm”, “Zhvatje e rënduar” dhe “Plagosje”. Për këto vepra, Kodi Penal Austriak parashikon dënime që shkojnë deri në 20 vjet burg.

Gjatë kontrollit fizik, 41-vjeçarit iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.

Ndërkohë, Interpol Tirana ka nisur procedurat ligjore për ekstradimin e tij drejt Austrisë, në bashkëpunim me autoritetet përkatëse.


Go to TOP