Trump ndjek finalen e Kupës së Botës për Klube në ‘MetLife Stadium’
Finalja e Kupës së Botës për Klube, që këtë vit po zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pritet të jetë një ngjarje sportive me jehonë globale, jo vetëm për shkak të përballjes së dy gjigantëve evropianë, PSG-së dhe Chelseat, por edhe për shkak të të ftuarve të nivelit të lartë që do të jenë të pranishëm në stadiumin ‘MetLife në East Rutherford’ në New Jersey.
Sipas burimeve të konfirmuara nga disa agjenci ndërkombëtare të lajmeve, si Reuters dhe Associated Press, në tribunat VIP të stadiumit do të jetë i pranishëm edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump. Në këtë zonë do të jenë gjithashtu edhe Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino e shumë mysafirë tjerë.
Prania e figurave të këtij niveli ka bërë që autoritetet amerikane të ngrenë masa sigurie të paprecedentë për një ndeshje futbolli në SHBA. Shërbimi Sekret Amerikan, në koordinim me policinë lokale dhe njësitë speciale të sigurisë, ka vendosur perimetër të zgjeruar kontrolli brenda dhe jashtë stadiumit, ndërsa zona VIP është blinduar me masa shtesë, përfshirë xhama antiplumb dhe skanerë të avancuar të metaleve.
Për më tepër, në ambientet përreth “MetLife Stadium” janë vendosur njësi të qenve të trajnuar për nuhatjen e eksplozivëve, ndërsa çdo hyrje në stadium po kontrollohet me rigorozitet për të eliminuar çdo rrezik të mundshëm.
Ndeshja pritet të ndiqet nga mbi 80 mijë spektatorë, ndërsa miliona të tjerë do ta shikojnë përmes transmetimeve televizive në mbarë botën. Finalja mes Paris Saint-Germain dhe Chelsea do të jetë edhe një test për Shtetet e Bashkuara si nikoqire të Kampionatit Botëror 2026, që do të organizohet së bashku me Meksikën dhe Kanadanë.
Kjo është hera e parë që Kupa e Botës për Klube me formatin e ri, me 32 skuadra, po organizohet në kontinentin amerikan. Ngjarja është parë nga FIFA si provë gjenerale për Botërorin e ardhshëm, ndërsa organizatorët janë zotuar për një standard të lartë në të gjitha drejtimet; nga fusha e lojës te siguria dhe logjistika.
Nëse gjithçka shkon sipas planit, finalja e nesërme në “MetLife Stadium” mund të shërbejë si model për mënyrën se si SHBA do të menaxhojë sfidat logjistike e të sigurisë në turneun më të madh futbollistik të planetit në vitin 2026.
