Rama prezanton ekipin për mandatin e dytë: Jo për lavdi, por për t’i çuar punët deri në fund
Kryetari aktual i Prishtinës dhe kandidati për një mandat të dytë, Përparim Rama, ka prezantuar ekipin me të cilin do të garojë në zgjedhjet lokale duke theksuar se përbëhet nga profesionistë të dëshmuar, me integritet personal dhe përkushtim publik.
“Kur vizioni takon kompetencën, aty fillon qeverisja e vërtetë,” u shpreh Rama duke sqaruar se ky ekip nuk është formuar për qëllime fushate, por përfaqëson njerëz që kanë punuar gjatë gjithë kohës në shërbim të qytetit dhe që kanë përballuar sfidat me përkushtim.
Ai nënvizoi vlerat që i udhëheqin: fokus në përmbajtje, jo në formë, dije dhe përvojë si përgjigje ndaj sfidave reale dhe udhëheqje me dinjitet dhe përgjegjësi.
“Ky nuk është ekip që kërkon lavdi, por besim për ta çuar punën deri në fund,” tha Rama duke shtuar se Prishtina ka nevojë për vazhdimësi, jo eksperimentime politike. Ai ftoi qytetarët që të besojnë në një qeverisje që nuk premton, por punon. /Kosova.info/
