​Gjenocidi i Srebrenicës përkujtohet edhe në veri të Kosovës

Edhe në Mitrovicën e Veriut u përkujtuan të vrarët e Srebrenicës. Masakra e gjenocidi mbi boshnjakët, nga kreu i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, u tha se ishte ndër më çnjerëzoret që njeh historia.

Gjenocidi mbi popullatën myslimane në Srebrenicë tregoi veprimet çnjerëzore të aparaturës serbe. Mbi 8 mijë burra e djem boshnjakë u ndanë e më pastaj u masakruan çnjerëzisht.

Në kujtim të të vrarëve, në ndërtesën e Komunës së Mitrovicës së Veriut, sot u mbajt një seancë komemorative me rastin e 30-vjetorit të krimeve në Srebrenicë.

Asamblistët nderuan viktimat me një minutë heshtje dhe me simbole në formën e ‘lules së Srebrenicës’.

Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, tha se në korrik të vitit 1995, “në zemër të Evropës ndodhi një nga krimet më të rënda të shekullit XX”.

 “Sot, në 30-vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, me dhembje dhe respekt u përulemi mbi 8.000 burrave dhe djemve boshnjakë të vrarë. Kanë kaluar 30 vite prej kur bota u trondit nga brutaliteti i atij akti, sepse ndodhi një nga krimet më të tmerrshme të shekullit XX. Ishte një qytet i shpallur si zonë e sigurt nga Kombet e Bashkuara, por në të hynë forcat serbe, të cilat sistematikisht ndanë dhe masakruan civilët”, tha  Atiq.

Viktimat e gjenocidit në Srebrenicë kujtohen e nderohen çdoherë me organizime të shumta gjithë Kosovën. 

Go to TOP