Mbyllen 30 qendra masazhi dhe lokale me muzikë nate
Pas një aksioni të gjerë janë mbyllur 30 qendra masazhi e lokale me muzikë nate në tërë territorin e Kosovës. Kjo mbyllje, sipas Ministrisë së Industrisë, Tregtisë e Ndërmarrësisë është për shkak të mos regjistrimit të bizneseve, si dhe mungesës së pëlqimit apo aktvendimit për plotësimin e kushteve minimale teknike. Ndaj tyre që ushtronin veprimtari në kundërshtim me ligjin, janë shqiptuar 33 masa ndëshkuese.
Në një aksion të gjerë janë bërë bashkë Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut, në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Policia e Kosovës, inspektorët nga Administrata Tatimore e Kosovës e inspektorët nga Inspektorati Qendror i Punës, të cilët inspektuan qendra masazhi e lokale me muzikë nate.
“Aksioni i përbashkët ka rezultuar me inspektimin e 114 subjekteve ekonomike, përkatësisht 67 operatorëve ekonomikë që ushtrojnë veprimtari tregtare – aktivitete të mirëmbajtjes trupore (qendra masazhi), 47 operatorë ekonomik që ushtrojnë veprimtari tregtare dhe aktivitete tjera të argëtimit e rekreacionit (muzikë nate)”, thotë MINT-i në njoftim.
Kanë treguar se Inspektorët e Inspektoratit Qendror të Mbikëqyrjes së Tregut konform kompetencave të tyre ligjore, kanë bërë mbyllje të përkohshme të 30 operatorëve ekonomikë në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
“Kjo mbyllje është për shkak të mos regjistrimit të bizneseve, si dhe mungesës së pëlqimit/aktvendimit për plotësimin e kushteve minimale teknike. Ndaj operatorëve ekonomikë që ushtronin veprimtarinë e tyre në kundërshtim me ligjin, janë shqiptuar 33 masa ndëshkuese sipas legjislacionit në fuqi”, bëhet e ditur në njoftim.
MINT-i thotë se Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut konform kompetencave ligjore që ka, do t’i vazhdojë inspektimet edhe ditëve në vijim dhe nëse konstatohen shkelje do të ndërmerren masa për ndalim të ushtrimit të veprimtarisë. /Kosova.info/
