Qelaj edhe në Leposaviq, takon përfaqësues të shoqërisë civile e qytetarë

Avokati i Popullit, Naim Qelaj sot ka mbajtur takim me qytetarë dhe Organizata Jo Qeveritare (OJQ) në Leposaviq, me ç’rast ka pranuar ankesa të natyrave të ndryshme.

Qytetarja Danica Jeftiç Stojanoviç tha se nuk mund të aplikoj për përfitime sociale apo çfarëdo tjetër, për shkak se siç tha ajo ka probleme me letërnjoftimin e Kosovës.

Jeftiç Stojanoviç: Tani nuk mund të aplikoj për përfitime sociale apo ndonjë gjë tjetër, problemi tek letërnjoftimi

“Kam jetuar në komunën e Leposaviqit në fshat…. Kam jetuar në Serbi dhe këtu dhe në Serbi, u rrita këtu, pastaj u martova, jetova atje dhe u ktheva për tetë vjet. Për mua, problemi më i madh është letërnjoftimi dhe gjithçka tjetër që lidhet me letërnjoftim të Kosovës. 00:30- 01:00 Tani nuk mund të aplikoj, për shembull, për këto përfitime sociale apo ndonjë gjë tjetër, madje kam frikë se ishte një ndalesë, flitet se ne që nuk kemi letërnjoftime të Kosovës do t’u revokohen kartat e identitetit këto tonat ( Serbisë) kur të shkojmë në Serbi për të marrë mjetet financiare ose ilaçe”, tha ajo.

Ndërkaq, qytetarja tjetër Aleksandra Subotiq tregoi se iu refuzua kërkesa për marrjen e një apartamenti në Leposaviq.

Subotiq:Aplikuam për apartament në konkursin dhe u refuzuam pa asnjë shpjegim me shkrim

“Në vitin 2024, ata shpërndanë disa apartamente për refugjatët e zhvendosur që u shpërndanë nga zyra për Kosovën përmes …… dhe gjithçka kaloi përmes komunës, komuna dha tokën pastaj…. në dhjetor 2024, u shpall një konkurs për të njëjtat apartamente ….. aplikuam për konkursin dhe u refuzuam pa asnjë shpjegim me shkrim. Shpjegimi me gojë ishte se fillimisht nuk na gjetën në adresë dhe pastaj se kam diçka në emrin tim në komunën e Leposaviqit…Pas kësaj e vizituam kryetarin e komunës dhe biseduam dhe ai na kërkoi të paraqisnim një ankesë tjetër, pastaj ata thanë se konkursi për personat e zhvendosur është vetëm formal, unë madje kam edhe dosjet e shoqatës daneze të komunës së Leposaviqit dhe personat që na duhen të marrin banesa.”, tha Subotiq.

Lidhur me këtë ankesë, Avokati i Popullit, Naim Qelaj tha se jo çdoherë i ndërhyjnë autoriteteve në punën që e bëjnë por, siç tha ai kanë për detyrë që në çdo hap t’i mbikëqyrin nëse janë duke vepruar në përputhje me ligjin.

Qelaj theksoi se çdo vendim që lidhet me të drejtat për banim duhet të përcillen me një bazë ligjore.

Qelaj: Çdo vendim që lidhet me të drejtat për banim duhet të përcillen me një bazë ligjore

“E jona është që të shohim se në këtë rast komuna po e respekton këtë dhe të drejtat tona…Jo çdo herë ne i përzihemi autoriteteve në punën që e bëjnë por, që ne e kemi për detyrë që në çdo hap t’i mbikëqyrim nëse janë duke vepruar në përputhje me ligjin dhe po respektojnë të drejtat tona. Çdo vendim që lidhet me të drejtat për banim duhet të përcillen me një bazë ligjore. Duhet të jepen arsyet pse po ndodhë ky veprim. Duhet të jepet edhe e drejta në ankesë. Ne kemi tërheqë vëmendjen edhe më herët për këto aspekte të administratës komunale dhe duhet pasur parasysh që komuna ka përgjegjësi për strehim dhe banim në rast të familjeve që janë pa strehë”, tha Qelaj.

Zyrtarja për Arsim në Komunën e Leposaviqit, Vesna Radosavljeviq parashtroi ankesë te Avokati i Popullit lidhur me energjinë elektrike. Sipas saj, pas ndërrimit të njehsorëve në Mitrovicën e Jugut, banorët në Leposaviq janë përballur me vështirësi.

Radosavljeviq potencoi se disa qytetarëve të Leposaviqit iu janë ndërruar njehsorët e rrymës pa njoftim.

Siç tha ajo në rast se pronarët e shtëpive refuzojnë ta paguajë një pjesë të faturës, u ndërprehet rryma.

Radosavljeviç tregoi se do të paraqes padi kundër kompanisë private që operon në veriun e Kosovës për faturimin dhe shpërndarjen e energjisë elektrike “Elektroserver”.

Radosavljeviq: Do të dërgoj edhe padi kundër Elektroseverit

“Ata me dhunë i kanë ndërruar njehsorët e rrymës, pa njoftim të pronarëve. Pa njoftime dhe pa arsyetime të pronarëve të shtëpive. Njoftim për ndërrim të njehsorëve dhe a janë të pajtimit për ndryshimin e njehsorit. A kanë dëshirë ta nënshkruajnë kontratën nëse duan të shfrytëzojnë rrymën. Menjëherë kanë ardhur pa kurrfarë vërejtje dhe e kanë ndërprerë rrymën e njerëzve…Nëse ndodhë që pronari i shtëpisë ose nëse refuzon të paguajë faturën që i ka ardhur, një pjesë e faturës, ka ndodhur që ata ia kanë ndërprerë rrymën dhe e shantazhojnë…Do të dërgoj edhe padi kundër Elektroserverit dhe duhet të cek që asnjë avokat në pjesën veriore nuk guxon të pranojë padi kundër Elektroserverit. Qytetarët tanë duhet ta dijnë se duhet ta angazhojnë avokatin shqiptar”, tha Radosavljeviç.

Lidhur me këtë, Qelaj tha se deri më tani nuk ka pranuar shqetësime të tilla nga qytetarët. Por, ai thekson se pas pranimit të ankesave do të shqyrtohet kjo çështje.

Siç tha Qelaj, është shumë e rëndësishme që të zbatohen dispozitat dhe rregullativat që janë të përcaktuara nga rregullatori i energjisë elektrike.

Qelaj:Çështja ka të bëjë me faturën. Nuk ka sqarime, nëse do të ketë ankesa dhe shqetësime ne do merremi

“Çështja ka të bëjë me faturën. Nuk ka sqarime. Nëse pranojmë shqetësimet nga qytetarët ne e ngrisim si çështje. Është shumë e rëndësishme që të zbatohen dispozitat dhe rregullativat që janë të përcaktuara nga rregullatori i energjisë elektrike. Por, që si problem tek ne nuk është ngritur më herët. Hera e parë që po e dëgjojë. Nëse do të ketë ankesa dhe shqetësime ne do të merremi me këtë pjesë…Do te jemi në kontakt edhe me qytetarë që kanë shkruar ankesat edhe me juve si autoritet lokal”, tha Qelaj.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj pati takim edhe me kryetarin e Komunës së Leposaviqit, Lulzim Hetemi.


Go to TOP