Përplasje në Kuvend: Paris Guri akuzon Pacollin për grante, kërkon kthimin e 200 mijë eurove
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës u shoqërua me përplasje të ashpra mes deputetit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Paris Guri, dhe deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), veçanërisht me deputeten Fitore Pacolli.
Gurit iu dha fjala tri herë nga kryesuesi i seancës, Avni Dehari, për të propozuar një anëtar të komisionit për votim të fshehtë, por ai e shfrytëzoi foltoren për të ngritur akuza të drejtpërdrejta ndaj Pacollit.
“A i ke kthy 200 mijë euro?”, pyeti ai disa herë deputeten Pacolli duke aluduar në përfitime të paligjshme të granteve bujqësore nga familjarë të saj. Ai shtoi: “Mos kesh Fitore se marre. Ani ti Halil, ti rri. Oj Fitore, mos bërtit moj!”
Tensionet u shtuan kur Guri u përplas edhe me deputetët e tjerë të VV-së duke reaguar ndaj komenteve nga ulëset: “A jeni mirë? Qetësohuni! Mos bërtitni si fëmija se i keni do vjet.”
Pavarësisht ndërhyrjes nga regjia për të ndërprerë mikrofonin dhe kërkesave të kryesuesit Dehari që të fokusohet në temën e seancës, Guri vazhdoi me akuzat. “Qysh me folë para cirkut?”, deklaroi ai duke shprehur pakënaqësinë për atmosferën në sallë.
Kryesuesi e ndërpreu përfundimisht fjalën e deputetit të LDK-së duke thënë: “Ndërpritet, të lutem, ndërpritet telefoni dhe nuk ka mundësi të vazhdohet më tutje.”
Polemika vjen në vazhdën e një kallëzimi penal të dorëzuar në nëntor 2024 nga Paris Guri dhe Egzon Pacolli nga Forumi i Rinisë së LDK-së, kundër ministrit të atëhershëm të Bujqësisë, Faton Peci, dhe deputetes Fitore Pacolli. Ata pretendonin se vëllai dhe daja i saj kishin përfituar në mënyrë të padrejtë grante bujqësore në vlerë prej 100 mijë euro secili. /Kosova.info/
