AVONET me aksion simbolik para Gjykatës në Lipjan: Pa drejtësi s’ka qetësi
Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET ka mbajtur aksion simbolik para Stacionit të Policisë në Lipjan, për të kërkuar drejtësi lidhur me vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili vdiq në orët e para të mëngjesit të së hënës, pak pas arrestimit nga Policia e Kosovës, me dyshimin se po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugët e Lipjanit.
Aktivistët ngjitën postera në hyrjen e stacionit me mbishkrimin “Komandën e fundit e dha frymën”, ndërsa në objektin e gjykatës u vendos një tjetër mesazh, “Pa drejtësi s’ka qetësi”.
Në të njëjtën kohë me aksionin e AVONET-it, në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan, po mbahet seanca ndaj pesë zyrtarëve policorë të arrestuar në lidhje me rastin.
Aolta Bajrami nga kjo organizatë ka bërë thirrje për hetim të paanshëm dhe transparent.
“Kërkojmë nga organet përgjegjëse, konkretisht nga Prokuroria e Shtetit, Inspektoriati policor i Kosovës të hetojnë në mënyrë të paanshme, transparente dhe të me njëheshme humbjen e jetës së të riut nga Komuna e Lipjanit. Çdo ndërhyrje në këtë proces është e palejushme dhe e paligjshme… Pyetja që lind natyrshëm është ku është përgjegjësi institucionale, ku është komandati i stacionit të policisë në komunë e Lipjanit, drejtori i përgjithshëm i policë që do të duhej të jepnin dorëheqje për humbjen e të riut nga Komuna e Lipjanit konkretisht në duart e forcave të rendit. Ata janë forca që do të duhej të na mbronin dhe jo të na merrnin jetën”, tha ajo.
Te aksioni para gjykatës ajo tha se forcat e rendit do të duhej të ishin ato që mbrojnë dhe jo që marrin jetën e qytetarëve.
“Aksionin para policisë së Lipjanit e përfunduam dhe erdhëm për t’i dhënë epilogun para gjykatës dhe për të kërkuar nga gjykata që të trajtoj me priorite dhe seriozitet maksimal rastin. Urojmë që të jetë rasti i fundit sidomos kur përfshihen forcat e rendit që do të duhej që të ishin forca që do të na mbronin dhe jo të na merrnin jetën”, ka shtuar ajo.
