Cakolli: Agoni vdiq në duart e shtetit – brutaliteti policor nuk mund të justifikohet

Analisti dhe anëtari i shoqërisë civile, Eugen Cakolli, ka reaguar ashpër pas vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan, gjatë ndërhyrjes së Policisë së Kosovës. Përmes një reagimi publik, ai ka theksuar se asnjë veprim i mëhershëm i viktimës nuk mund të përdoret për ta justifikuar apo relativizuar këtë tragjedi.

“Hiç, asnjë pikë rëndësie nuk ka se çfarë veprimesh kishte bërë paraprakisht Agon Zejnullahu. As nëse kishte qenë nën ndikimin e alkoolit apo ndonjë substance tjetër. Është tejet e ulët dhe e neveritshme — veçanërisht nga Policia, por edhe nga disa individë të paturpshëm – të përpiqen t’i japin ngjarjes një drejtim të tillë, duke fyer viktimën dhe përbaltur imazhin e tij”, ka shkruar Cakolli.

Duke iu referuar pamjeve që qarkulluan në media dhe rrjete sociale, ai theksoi se brutaliteti policor është i qartë, dhe se mënyra e ndërhyrjes – përfshirë vendosjen e gjurit mbi qafën dhe shpinën e një personi të shtrirë – është një praktikë që rrezikon seriozisht jetën dhe që është e ndaluar në mënyrë eksplicite.

“Në momentin që ai ndaloi së rezistuari, detyra e policëve ishte ta mbronin – jo ta shtypnin deri në mbytje”, shtoi Cakolli.

Ai ngriti shqetësimin për një tendencë në rritje të dhunës nga ana e forcave policore, duke e cilësuar këtë si një shfaqje të “kapadaillëkut” institucional dhe përdorimit të dhunës si zgjidhje të parë.

Në reagimin e tij, Cakolli i bëri thirrje opinionit publik të mos e pranojë narrativën që tenton të përdorë sukseset e Policisë në veri si mburojë për dështimet apo dhunën në pjesët tjera të vendit.

“Ky shtet nuk ka dy polici apo dy ministri të Punëve të Brendshme – një që kujdeset për veriun dhe një tjetër për pjesën tjetër të vendit. Ka vetëm një, andaj edhe përgjegjësia është e pandashme.”

Ai e përmbylli reagimin me një thirrje për përgjegjësi politike dhe institucionale, duke theksuar se shteti matet me mënyrën si sillet me qytetarët – sidomos me të pambrojturit.

“Sot ka dështuar. Nesër duhet të përgjigjet,” përfundoi ai, me hashtagun #DrejtësiPërAgonin.

Kujtojmë se pesë policë janë ndaluar lidhur me këtë rast, ndërsa nesër pritet të mbahet seanca dëgjimore në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan. /Kosova.info/

Go to TOP