Nga Burim Berisha te Besnik Osmani – LDK mbyll një epokë suksesi dhe hap një kapitull të ri në Fushë Kosovë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë publike sot kandidaturën e Besnik Osmanit për Kryetar të Komunës së Fushë Kosovës, duke zyrtarizuar kështu kalimin e përgjegjësisë nga Burim Berisha – një prej figurave më të suksesshme të LDK-së në pushtetin lokal.
Në një tubim të mbajtur në këtë komunë, Abdixhiku u shpreh se mbyllja e një epoke të gjatë të qeverisjes nga Berisha po bëhet me dinjitet dhe përkushtim, ndërsa kapitulli i ri po nis me shpresë dhe unitet.
“Po e mbyllim një epokë të tërë me një ikonë fitoresh për LDK-në, Burim Berishën, për të nisur një të re, me një profesionist të jashtëzakonshëm të Lidhjes, Besnik Osmanin”, deklaroi Abdixhiku.
Ai falënderoi Berishën për 25 vitet e shërbimit, gjatë të cilave, sipas tij, Fushë Kosova u transformua nga një periferi në një qytet modern me mbi 70 mijë banorë.
“Ai nuk ndërtoi vetëm rrugë e shkolla – ai ndërtoi besim, respekt dhe kulturë të shërbimit publik”, theksoi lideri i LDK-së.
Ndërkohë, Besnik Osmani, kandidati i ri për të udhëhequr komunën, u prezantua si një figurë me përvojë konkrete në qeverisje, i matur dhe me vizion të qartë për të ardhmen e qytetit. Abdixhiku e quajti atë “vazhdimësinë” e modelit të LDK-së në Fushë Kosovë.
“LDK në Fushë Kosovë nuk është vetëm parti – është familje. Dhe kjo familje sot dha një dëshmi të rrallë bashkimi dhe kalimi të përgjegjësisë, nga një fitues – te një tjetër”, përfundoi Abdixhiku, duke theksuar gatishmërinë për një fitore të re në zgjedhjet e ardhshme. /Kosova.info/
