Në Gjilan ka nisur fushata e korrje-shirjeve me shpresë për bereqet

Ka filluar fushata e korrje-shirjeve në komunën e Gjilanit për këtë vit, ku me drithëra të bardha janë mbi 3 100 hektarë me grurë e me elb 100 hektarë.

Sipas njoftimit nga Komuna e Gjilanit, për të parë nga afër nisjen e kësaj fushate, ishin edhe kryetari i komunës, Alban Hyseni, bashkë me drejtorin e Bujqësisë, Bajram Isufin.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, tha se ka nisur fushata e korrje-shirjeve me përkushtim e shpresë për bereqet.

“Për bukën e sofrës. Fermerët tanë janë gati, rendimentet janë të mira dhe bashkë po i japim forcë bujqësisë sonë. Faleminderit për çdo kontribut – nga fusha deri te sofrat tona”, tha Hyseni, thuhet në njoftim.

Drejtori i Bujqësisë Bajram Isufi, tha se përgatitjet logjistike dhe teknike janë bërë për të mundësuar një fushatë sa më të suksesshme.

Ai tregoi se në territorin e Komunës së Gjilanit, gjatë vitit 2025, me drithëra të bardha janë mbjellë këto sipërfaqe: grurë mbi 3100 ha dhe elb 100 ha. Ndërkaq operojnë rreth 50 autokombajna të mjaftueshme për përfundimin e suksesshëm të fushatës.

Isufi uroi që fushata të përmbyllet me kohë dhe pa probleme.

“Kemi mbështetur mbi 1130 fermerë për mbjelljen e grurit, me farë dhe pleh artificial.

Përkrahja e fermerëve do të vazhdoi përsëri. Sivjet priten rendimente dhe cilësi shumë e lartë e grurit”, tha Isufi. /Kosova.info/


Go to TOP