27-vjetori i Betejës së Loxhës: Haradinaj dhe Abdixhiku përulen para sakrificës së dëshmorëve

Më 6 korrik 2025, u shënua 27-vjetori i njërës prej betejave më të ashpra të luftës së fundit në Kosovë – Beteja e Loxhës. Në këtë ditë përkujtimore, figura politike dhe ish-luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë nderuar me respekt të thellë sakrificën e luftëtarëve të rënë për liri.

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj, përmes një mesazhi publik, kujtoi përballjen e 6 korrikut 1998 si një ndër momentet më të lavdishme të luftës, ku djemtë e Loxhës dhe të fshatrave përreth, deri në vetëflijim, mbrojtën tokën dhe nderin e atdheut.

“Duke kujtuar sot përpjekjet e paepura të luftëtarëve dhe vullnetin e madh për çlirim, nderojmë kontributin e Loxhës në kohën më të lavdishme të historisë sonë të re, ndërsa përulemi me nderim para dëshmorëve që u përjetësuan në themelet e lirisë: Tahir Shala, Rrustem Bruqi, Enver Alaj, Lumni Surdulli e Xhavit Qufaj,” tha Haradinaj. Ai kujtoi gjithashtu edhe rënien e luftëtarëve nga fshati Rudicë – Nimon Bajraktari, Haki Ahmetxhekaj dhe Bashkim Mehmetaj – si dhe bashkëluftëtarin Arsen Mazrekaj.

Në këtë përvjetor, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përkujtoi me nder dhe krenari të gjithë të rënët në këtë betejë. Ai veçoi qëndresën e Kolonel Tahir Zemajt, strategut të urtë që qëndroi krah për krah me Presidentin Historik Dr. Ibrahim Rugova në rrugëtimin për liri.

“Në këtë ditë kujtese, nderojmë qëndresën, guximin dhe dashurinë e pashoq për atdheun të Kolonel Tahir Zemajt… Kujtojmë me nder Heroin Rrustem Bruçi; juristin, veprimtarin dhe një prej themeluesve të LDK-së… Lavdia dhe sakrifica e Lumni Surdullit dhe Enver Alajt janë dëshmi e përjetshme e guximit të brezit që nuk u përkul para asnjë force,” tha Abdixhiku.

Ai theksoi se gjaku i derdhur në Loxhë është amanet për gjeneratat e sotme dhe të ardhshme – për të mbajtur gjallë kujtesën dhe për të ndërtuar një të ardhme me dinjitet, në përputhje me idealet e dëshmorëve.

Lavdi e përjetshme për të gjithë dëshmorët e Betejës së Loxhës! /Kosova.info/


Go to TOP