​Murati: Tentonin që të uzurponin foltoren duke pretenduar se ka shkelje kushtetuese

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, pas dështimit për herë të 42-të të seancës konstituive tha se është për keqardhje qëndrimi i vazhdueshëm i partive të tjera , të cilat sipas tij po bëjnë shkelje të kushtetutës në vazhdimësi.

Sipas tij, deputetët e partive që deri më tani ishin në opozitë po tentojnë ta uzurpojnë foltoren e kuvendit, me pretendimin se po ndryshohet rendi i ditës.

“Është për keqardhje qëndrimi i vazhdueshëm i partive opozitare dhe në shkelje të Kushtetutës në vazhdimësi. Ju e dëgjuat teksa tentonin që të uzurponin foltoren, duke pretenduar se ka shkelje kushtetuese dhe po ndryshohet rendi i ditës. Kur në fakt, kryesuesi i seancës zotri Dehari e theksoi qartë që bëhet fjalë për pikën tretë të rendit të ditës që është votimi i kryetarit të kryetarit. Nuk ka ndryshim të rendit të ditës, është shpifje, është e pavërtetë ajo që po thuhet nga opozita,” deklaroi Murati.

Murati potencoi se shkelja e Kushtetutës po bëhet nga opozita përmes refuzimit të saj për të marrë pjesë në votim. Sipas tij, çështja e formës së votimit është sqaruar qartë nga Gjykata Kushtetuese.

“Nëse ka ndonjë shkelje kushtetuese dhe rregullores së punës së kuvendit, është mosvotimi që deputetët e opozitës po bëjnë tash e disa herë duke mos marrë pjesë në votim. Në shtjellimin e saj, Gjykata Kushtetuese ia ka dhënë përgjigje çështjes së a është votimi i fshehtë është i lejuar apo jo”, tha Murati.

Murati theksoi se situata aktuale ka dy zgjidhje: arritja e një konsensusi, që sipas tij është penguar në vazhdimësi nga opozita, ose votimi i drejtpërdrejtë.

“Kemi dy situata këtu: ose duhet që të ketë konsensus, të cilin e kanë refuzuar në vazhdimësi partitë opozitare, ose duhet që të shkohet në votim dhe të gjendet rruga më e lehtë për të gjetur zgjidhjen dhe për konstituar kuvendin,” tha Murati.

Sot dështoi për herë të 42-të konstituimi i Kuvendit të Kosovës.

Go to TOP