Shqetësime se Musiala mund ta ketë humbur sezonin
Mesfushori i Bayern Munich, Jamal Musiala, ka pësuar një lëndim të rëndë në kyçin e këmbës gjatë pjesës së parë të ndeshjes kundër Paris Saint-Germain në çerekfinalen e Kupës së Botës për Klube.
Ndeshja e të shtunës është fituar nga PSG me rezultat 2-0.
Futbollisti njëzet e dy vjeçar, që është pjesë e Kombëtares së Gjermanisë, është lënduar në minutat shtesë të pjesës së parë pas një përplasje në zonën e PSG-së. Gjatë një dueli me mbrojtësin Willian Pacho, portieri Gianluigi Donnarumma e ka goditur pa dashje mbi kyçin e majtë, duke ia përdredhur atë.
Pamjet nga fusha kanë treguar gjendjen e rëndë të Musiala, ndërsa Donnarumma ka rënë në gjunjë me duart në kokë. Lojtarët e të dyja skuadrave janë mblodhur rreth futbollistit të lënduar, i cili është larguar nga fusha me barelë.
Për shkak të ngjarjes, gjyqtari Anthony Taylor ka vendosur ta përfundojë pjesën e parë disa minuta më herët.
Sipas raportimeve të para, dyshohet se Musiala ka pësuar një frakturë në kyçin e këmbës, gjë që mund të nënkuptojë përfundimin e sezonit për yllin e ri të Bayern.
