Parandalohet përleshja mes dy grupeve të rinjsh, arrestohen 15 persona

Policia e Kosovës ka arritur të parandalojë një përleshje fizike të planifikuar ndërmjet dy grupeve të rinjsh në Mitrovicë, duke arrestuar pesëmbëdhjetë persona të dyshuar.

Sipas njoftimit zyrtar, rasti ka ndodhur në orët e mbrëmjes, pasi njësitë policore të Stacionit Policor Jugu në Mitrovicë, në bashkëpunim me njësitë e tjera operative, kanë reaguar me shpejtësi pas marrjes së informatave për një përplasje të mundshme mes grupeve të rinjve.

“Angazhimi dhe reagimi i shpejtë i njësive policore ka bërë të mundur lokalizimin e dy grupeve dhe parandalimin e përleshjes, duke vendosur situatën nën kontroll,” thuhet në njoftimin e Policisë.

Personat e arrestuar janë ndaluar në dy lokacione të ndryshme, ndërsa ndaj tyre po zhvillohen procedurat e intervistimit në prani të prindërve dhe zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale (QPS).

Hetimet janë duke vazhduar në koordinim me Prokurorin e Shtetit, ndërsa Policia e Kosovës thekson përkushtimin e saj për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike.

“Falënderojmë qytetarët për bashkëpunimin dhe raportimin e rasteve që cenojnë sigurinë. Angazhimi i përbashkët është thelbësor për një mjedis më të sigurt për të gjithë,” thuhet në fund të njoftimit.


Go to TOP