Abdixhiku: Le të ikin ata, ne le të flasim – Kuvendi nuk është i partisë së parë
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas dështimit të radhës për mbajtjen e seancës parlamentare duke e akuzuar partinë e parë për uzurpim dhe shkelje të rendit kushtetues.
“Sot ishte hera e 41-të me radhë që partia e parë nuk arrin të ushtrojë përgjegjësinë kushtetuese që ka; atë të krijimit të shumicës,” deklaroi Abdixhiku duke shtuar se me arrogancë po injorohet edhe rendi i ditës që ishte dakorduar paraprakisht nga të gjitha partitë në takimin me ish-kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.
Ai tha se ndonëse partia e parë po tenton të mbajë peng punën e Kuvendit, LDK nuk do të heshtë. “Le të ikin ata, ne le të flasim,” theksoi Abdixhiku duke përmendur se deputetja Hykmete Bajrami ka mbajtur një fjalë në sallë – një fjalë që s’mund t’i ndalej, siç ndodhi me deputetin Alban Zogaj.
“Kjo pengesë parlamentare është tashmë jokushtetuese. Është përmbysje e rendit kushtetues me vetëdije e qëllim. Pra, është dhe vepër penale për të cilën do të ketë përgjegjësi një ditë,” paralajmëroi ai.
Sipas Abdixhikut, LDK do të vazhdojë të jetë zëri i shumicës qytetare dhe do t’i shtrojë në Kuvend të gjitha çështjet që po mbahen pezull nga krizat e krijuara nga partia në pushtet. /Kosova.info/
