Kastriot Shabani shpall kandidaturën për Kryetar të Komunës së Shtimes: Ky është misioni im
Në ditëlindjen e tij, Kastriot Shabani ka ndarë me qytetarët e Komunës së Shtimes një lajm me rëndësi të madhe për angazhimin e tij politik. Ai është nominuar zyrtarisht nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) si kandidat për Kryetar të Komunës së Shtimes në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
“Ky është një rrugëtim i ri, për t’i dhënë Shtimes drejtimin që e meriton me vizion, punë të ndershme dhe dashni,” tha Shabani, duke theksuar se kandidimi i tij nuk është vetëm një vendim personal, por një përkushtim për një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët.
Ai premtoi një ekip të përkushtuar dhe profesional, si dhe një plan të detajuar për zhvillimin ekonomik dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në komunë, i cili do të prezantohet në ditët në vijim.
“Kjo ditë është më shumë se një festë personale, është një moment vendimtar për të ardhmen tonë të përbashkët. Ju ftoj të jemi bashkë, si gjithmonë me zemër, me vullnet dhe me dashni për komunën tonë,” u shpreh Shabani në mesazhin e tij publik.
“Unë jam Kastriot Shabani dhe ky është misioni im!” përfundon deklarata e tij, e cila tashmë ka nisur të ngjallë reagime dhe pritshmëri në opinionin publik lokal. /Kosova.info/
