Temperaturat e larta, Gjykata në Prishtinë redukton orarin e punës
Gjykata Themelore në Prishtinë njofton se, për shkak të temperaturave të larta dhe vështirësive në kushtet e punës brenda Pallatit të Drejtësisë, është marrë vendim për reduktimin e përkohshëm të orarit të punës.
Gjykata ka njoftuar se ky vendim është marrë në përputhje me Vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës Nr. 01/802, datë 27.06.2025, dhe pas konsultimeve të mbajtura nga Kryetarja e Gjykatës, znj. Albina Shabani Rama, me udhëheqësit e departamenteve, administratorin dhe stafin udhëheqës të administratës së gjykatës.
Masat që hyjnë në fuqi janë si më poshtë:
Orari i punës për të gjithë stafin e Gjykatës Themelore në Prishtinë do të jetë:
08:00 – 14:00.
Shërbimet administrative do të mbeten funksionale edhe pas orës 14:00, me staf të kufizuar, sipas rotacionit të përcaktuar nga udhëheqësit përkatës.
Seancat gjyqësore të planifikuara pas orës 14:00 do të zhvillohen sipas orarit të caktuar, përveç në rastet kur gjyqtari i çështjes ose trupi gjykues vlerëson se kushtet nuk e mundësojnë mbajtjen e tyre.
Punonjësit që janë të diagnostifikuar me sëmundje kronike do të lirohen nga puna nga ora 12:00.
Sipas Gjykatës këto masa janë të përkohshme dhe do të vlerësohen në vazhdimësi, në varësi të zhvillimeve klimatike dhe analizave të menaxhmentit të gjykatës.
“Ftojmë të gjithë qytetarët dhe palët në procedura të kenë mirëkuptim dhe të ndjekin udhëzimet përkatëse”, thuhet tutje në njoftim.
