Mihali ironizon Halimin: Mendësi shpelle? Ndoshta për përjetimet komunale të LDK-së në Prishtinë
Aktivistja e Lëvizjes Vetëvendosje, Dejona Mihali, ka reaguar me ironi ndaj deklaratës së Sibel Halimit, eksponente e LDK-së dhe drejtoreshë e Kulturës në Komunën e Prishtinës, e cila së fundmi e cilësoi Kryeministrin Albin Kurti si përfaqësues të një “mendësie shpelle”.
Mihali, në një koment publik, e përmendi metaforën platonike të shpellës si të vetmen që njihet në shkencat humane, për të vënë në dukje se në filozofinë e Platonit kjo “shpellë” përfaqëson padijen dhe mungesën e njohjes së ideve të vërteta. Sipas saj, është paradoksale që një figurë akademike të përdorë një term kaq të ngarkuar filozofikisht në një kontekst politik, pa e lidhur me realitetin konkret.
“Për çfarë ta ketë pasur fjalën kjo zonjë intelektuale e LDK-së?”, pyet Mihali duke shtuar me sarkazëm se ndoshta Halimi po i referohej “përjetimeve komunale – apo ndoshta katastrofës më të paparë në drejtimin e ndonjë komune kryeqytetase ndonjëherë.”
Reagimi i saj është pjesë e përplasjes së vazhdueshme midis përfaqësuesve të VV-së dhe drejtuesve të LDK-së në Prishtinë, ku shkëmbimet retorike po marrin formë gjithnjë e më personale dhe simbolike. /Kosova.info/
