Kupchan: Trump pritet të rikthehet si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi – takimi i liderëve në Zyrën Ovale është në horizont
Charles Kupchan, anëtar i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Uashington dhe ish-drejtor për çështje evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara pritet të riangazhohen fuqishëm në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në muajt në vijim.
Në një intervistë për media ndërkombëtare, Kupchan theksoi se ky riangazhim pritet të kulmojë me një takim të mundshëm mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë, nën patronatin e presidentit amerikan Donald Trump.
“Shpejt do të shihni një riangazhim të Uashingtonit në dialogun Kosovë-Serbi dhe do të shihni Trumpin që të sjellë liderët e të dy vendeve në Zyrën Ovale për ta shtyrë procesin përpara, teksa presidenti amerikan e sheh veten si paqebërës,” tha Kupchan.
Ai ka theksuar se pavarësisht paqëndrueshmërisë politike aktuale në Prishtinë dhe Beograd, ende ekziston një perspektivë për arritjen e paqes. Kupchan përmendi si bazë Marrëveshjen e Brukselit dhe atë të Ohrit të vitit 2023 duke shtuar se një “kompromis i vështirë dhe i dhimbshëm” është ende i mundshëm.
“Sot jemi në një pozitë të vështirë sepse kemi paqëndrueshmëri politike në Beograd dhe në Prishtinë. Asnjëra palë nuk kërkon të vazhdojë më tej. Por mendoj se një ditë jo të largët të dy vendet do të jenë të gatshme të bëjnë kompromisin e dhimbshëm për të arritur paqen,” përfundoi Kupchan. /Kosova.info/
